Rudina Hajdari u kërkoi anëtarëve të Këshillit Politik që të mblidhen të martën që vjen.
Ish-kryetarja e grupit parlamentar demokrat, e cila tashmë mund të konsiderohet si përfaqësuese e interesave të Nismës, kërkon që pavarësisht konfliktit të takimit të fundit, kjo strukturë të mblidhet në datën 22, në orën 10:00, për të gjetur një dakordësi për listat e hapura dhe përshtatjen e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Hajdari do të vijë në tryezë me amendamentet e saj mbi nismën e paraqitur nga socialistët, në të cilën së pari vihet re se ajo kërkon renditje sipas rendit alfabetik të listës së kandidatëve, ndërsa socialistët flasin për renditje shifrore.
Po ashtu, opozita parlamentare kërkon të ketë në grupet e numërimit përfaqësuesin e saj në fazën e numërimit të votave parapëlqyese për kandidatët.
Sipas Hajdarit, propozimi i saj i jep kuptim listës 100% të hapur dhe jo ai i socialistëve që parashikon një listë të renditur paraprakisht nga partia. Ajo shpreson në një mbështetje të Partisë Demokratike në Këshillin Politik, pasi Lulzim Basha u shpreh këtë javë që mbështet renditjen sipas alfabetit të listës së kandidatëve për deputetë. (A2 Televizion)