
Partia Socialiste duket e bindur për të kaluar në Kuvend, Amnistinë Fiskale pavarësisht qëndrimit kundër të ambasadorëve.
Në përfundim të mbledhjes së grupit, kreu Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca do ta kalojë këtë nismë ligjore, sepse është kërkesë e qytetarëve në Këshillimin Kombëtar.
“Na rezulton nga Këshillimi Kombëtar se më shumë se 2/3 e shqiptareve e mbështet këtë nismë, që synon kalimin e Shqipërisë në një fazë tjetër drejt formalizimit, pra është domosdoshmëri që na ndan nga tranzicioni që ishte i bashkëshoqëruar me informalitet”, deklaroi ai.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së sqaroi se “kemi qenë të qartë që përjashtohet çdo aktivitet kriminal dhe çdo person i ekspozuar, nga politikanët te familjarët e personave me të shkuar kriminale”.
Balla shtoi se “e ka bërë pothuajse çdo anëtar i BE-së, ne do ta miratojmë amnistinë fiskale. Çdo deputet duhet të kuptojë që kjo është gjë e mirë për të ardhmen e vendit”.
Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yan Sun, në një konferencë për shtyp me ministren e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, u shpreh se “projektligji për amnistinë fiskale mund të konsiderohet si një dëmtim për moralin tatimor”. (A2 Televizion)