
U mbajt këtë të hënë në Presidencë shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2022. Sokol Binaj nga Gjykata e Lartë është zgjedhur kryetar i ri i KED, ndërsa si anëtar zëvendësues nga ky institucion është caktuar Sandër Simoni.
Nga 9 kandidatë të Prokurorisë së Përgjithshme, goglat kanë zgjedhur Anila Likën si anëtare të KED, ndërsa Thoma Jano është anëtari zëvendësues nga ky institucion. Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska janë zgjedhur nga Gjykata Kushtetuese, respektivisht Xhaferllari si anëtare dhe Toska si zëvendësuese.
Klodiana Mema do të jetë anëtare si përfaqësuese e Gjykatave Administrative. Arta Marku zgjidhet si përfaqësuese e prokurorive të Apelit, bashkë me Etjen Kapon. Në tërësi KED përbëhet nga 9 anëtarë, mandati i të cilëve zgjat 1 vit. Anëtarët janë përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
"Me transparencë të plotë, në prani të përfaqësuesve të të gjitha institucioneve të përfshira në proces dhe me pjesëmarrjen e mediave të interesuara, që transmetuan live gjithçka, zhvilluam sot në Institucionin e Presidentit të Republikës procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2022.Ju uroj anëtarëve të sapozgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shumë suksese dhe përmbushjen e detyrës, me përgjegjësi dhe integritet të lartë, ashtu siç ligji dhe Kushtetuta sanksionon", tha presidenti Meta pas përfundimit të shortit. (A2 Televizion)