
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka hedhur poshtë ankimimin e demokratëve ku opozitarët kishin parë si mundësi bllokimin e koncesionit të pompave të karburanteve nga ana e KQZ-së.
Risia e këtyre zgjedhjeve që me Kod kufizon aktivitetet qeveritare katër muaj para datës së votimit, futi në lojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si institucion që mund të kontrollonte vetë qeverinë gjatë periudhës zgjedhore, këtë herë me një kërkesë konkrete përpara, përmes së cilës PD pretendon anulimin e kontratës koncesionare.
“Lidhur me rastin objekt kallëzimi, data e miratimit të kësaj VKM-je është pikërisht në datën kur vendimi u miratua nga Komisioni Rregullator. Kështu, në datën kur Këshilli i Ministrave ka miratuar VKM-në, ky institucion nuk ishte njohur ende me përmbajtjen e aktit të sapomiratuar nga Komisioni Rregullator në KQZ”, shprehet Celibashi.
Këtë vendim, Celibashi nuk e mori në një seancë publike, njësoj siç veproi edhe me rrëzimim e dy ankimeve të tjera, të paraqitura nga LSI-ja dhe PD-ja e Durrësit. Një prej tyre ishte kundër kryebashkiakut Veliaj i cili u akuzua se kishte bërë fushatë me programin e rindërtimit, ndërsa tjetra lidhej me një investim të bërë nga Bashkia Durrës që nuk ishte parashikuar në buxhetin vjetor. Të trija vendimet e Celibashit janë pasqyruar në faqen e KQZ-së. (A2 Televizion)