
Dilni dhe votoni masivisht ditën e zgjedhjeve dhe mos lejoni që vota juaj të influencohet apo të blihet. Ky ka qenë mesazhi i ambasadores suedeze në vendin tonë nga Paçrami i Shkodrës, në turet e takimeve që ka ndërmarrë me votuesit në zona të ndryshme të vendit.
Sipas ambasadores edhe shteti duhet të krijojë hapësirat dhe mekanizmat e nevojshme që qytetarët të ushtrojnë lehtësisht të drejtën e votës.
“Jam duke udhëtuar në vende të ndryshme për të parë se sa njerëzit janë të përgatitur për të votuar dhe për të parë situatën që mbizotëron para zgjedhjeve. Nuk kemi folur për shitblerjen e votës, por natyrisht që është një fenomen shqetësues në çdo vend që ka një demokraci të brishtë, ashtu siç është edhe në Shqipëri. Njerëzit duhet ta shmangin këtë fenomen. Dita e zgjedhjeve është një ditë mjaft e rëndësishme për demokracinë, por qytetarët kanë në dorë mbarëvajtjen e këtij procesi. I bëj thirrje qytetarëve të dalin dhe të votojnë”, tha ambasadorja e Suedisë në vendin tonë. (A2 Televizion)