
Prokurori antimafias italiane Federico de Raho iu rikthye formulës se për të luftuar krimin e organizuar duhet të ndjekësh paratë. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri De Raho u shpreh se vetëm duke goditur mekanizmat e të ardhurave atëherë organizatat kriminale do të dështojnë.
“Formula më efikase në luftën kundër krimit të organizuar është ajo e ndjekjes së parave. Nuk e themi vetëm ne, por edhe ndërkombëtarë, se çfarëdolloj agjencie kundër krimit të organizuar është e destinuar të dështojë nëse nuk goditet mekanizmi i shtimit financiar, çka e bën narkotrafikun si aktivitetin më fitimprurës në botë”
Federico de Raho, prokuor i antimafias italiane
Në një kohë që grupet shqiptare janë të specializuara në trafikun e lëndëve narkotike, kreu i antimafias Italiane tha se pastrimi i parave është një problem. Për këtë, sipas De Rahos, grupet shqiptare investojnë të ardhura marramendëse në Shqipëri.
“Nga të dhënat tona del se pastrimi i parave bëhet në vendin e origjinës. Parat e narkotrafikut më së shumti investohen atje dhe ne rastin e grupeve kriminale shqiptare në Shqipëri”
Federico de Raho, prokuor i antimafias italiane
Por paratë e krimit ne vendin e origjinës sjellin dhe rrezikun e korrupsionit i cili shkon deri në nivele të larta.
“Rreziku i denoncuar është konkret dhe për shkak të lidhjes së ngushtë mes riinvestimeve të jashtëligjshme dhe korrupsionit. Kjo për shkak se grupet kriminale kanë të ardhura të mjaftueshme dhe diçka e tillë lehtëson marrëveshjet korruptive sidomos në rastet kur investimi i paligjshëm tenton të futet në ekonominë ligjore. Mendoni se sa korrupsion mund të bëjnë subjekte të tilla të cilët arrijnë të hyjnë dhënë nivelet më të larta të administratës publike dhe politike”.
Federico de Raho, prokuor i antimafias italiane
Prokurori i antimafias tha se një tjetër hap që vendi duhet të ndërmarrë është dhe bllokimi i lidhjeve që krerët e grupeve te strukturara që janë në burg kanë me jashtë. Sipas tij, lidhjet duhet të ndërpriten. (A2 Televizion)