
Bashkia e Durrësit anulon tenderin për vijimin e punimeve në sheshin "Veliera", me motivacionin e mangësisë në dokumentacione.
Në tenderin me objekt: Faza e katërt e sheshit publik para hyrjes së Porti Durrës (VELIERA)", me fond limit: 248,179,962.00 Lekë, njoftohet anulimi i kësaj procedure.
Nuk dihet se cilat janë gabimet apo mangësitë e rëndësishme në dokumentet e tenderit, pasi ato nuk specifikohen në njoftimin e bashkisë.
Tenderi për fazën e katërt të punimeve tek “Veliera” kishte vlerë 248 milionë lekë të reja ose rreth 2.5 miliardë lekë të vjetër dhe fondi do të përdorej për mbulesën përfundimtare të tendës, pra për realizimin e veshjes së sipërme të strukturës.
E nisur më shumë se 4 vite më parë, “Veliera” ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që majin e vitit 2020 ajo kërkoi një fond shtesë prej 850 milionë lekë, e cila u shpjegua si shtesë kontrate.
Fondi në fjalë u akordua kur qyteti bregdetar kishte ende shumë plagë të hapura nga lëkundja sizmike e datës 26 nëntor 2019, që shkaktoi dëme kolosale në Durrës.
Projekti “Veliera” është përllogaritur të kushtojë rreth 6 milionë euro, por deri në përfundim të tij nuk dihet cila do të jetë kostoja reale. (A2 Televizion)