
Komuniteti global duhet t’i japë fund një herë e përgjithmonë testimit të armëve bërthamore dhe t’ia dorëzojë historisë. Këtë apel ka bërë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Testimit Bërthamor.
Në një postim në Twitter, Guterres shkroi se bota është mbajtur peng i tyre për shumë kohë. Sipas tij, këto pajisje nuk sjellin fitore apo siguri, ndërsa apeloi për fundin e testit bërthamor.
“Bota jonë është mbajtur peng i armëve bërthamore për mjaft kohë. Këto pajisje vdekjeje nuk garantojnë asnjë fitore apo siguri. Sipas projektimit, rezultati i tyre i vetëm është shkatërrimi.
Le të sigurojmë fundin e testimit përgjithmonë dhe t'i dorëzojmë historisë armët bërthamore - një herë e përgjithmonë”, shtoi ai.
Guterres thotë se tani është urgjente për botën që të zbatojë një ndalim ligjërisht të detyrueshëm për të gjitha testet bërthamore.
Sipas shefit të OKB-së, me rreziqet bërthamore që arrijnë lartësi të reja, është e nevojshme që Traktati për Ndalimin e Plotë të Testeve Bërthamore të hyjë në fuqi të plotë, i mbështetur nga një sistem efektiv verifikimi. (A2 Televizion)