Apeli i Posaçëm vendosi të lerë të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë, që fajësoi Çekaj për trafikimin e kokainës kolumbiane në kontejnerin me banane të kompanisë së tij “Arbi Garden”. Apeli la në fuqi kështu dënimin e tij me 14 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuarkriminal”.
Vendimi i Shkallës së Dytë i dha formë të prerë edhe dënimit me 10 vjet e 8 muaj burg për menaxherin e kompanisë, Donaldo Lushaj dhe 8 vjet e 8 muaj për Armando Pezakun, shoferin e trajlerit që lëvizi kontejnerin nga porti i Durrësit në magazinat e “Arbi Garden” në Maminas.
Çekaj u shfaq i buzëqeshur pas vendimit. Jashtë sallës avokati i tij e cilësoi gjykatën si një notere të prokurorisë.
Në hetim dhe gjykim Arbër Çekaj ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, madje e ka cilësuar procesin ndaj tij si të motivuar politikisht dhe një farsë për të mbrojtur trafikantët e vërtetë.
Në muajin prill Çekajt iu arrestua babai 72-vjeçar, Selim Çekaj, si i dyshuar për trafikimin e 49 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri. Prangosja e tij ngjalli revoltë tek i biri, që në seancën e radhës deklaroi se ishte një klan i caktuar që kërkonte të përfshinte familjarët e tij në trafik. (A2 Televizion)