Një ndjekje policore në Miçigan përfundoi me një skenë të pazakontë, kur një makinë e vjedhur humbi të gjithë boshtin e pasmë pasi u përpoq t’i shpëtonte policisë. Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes në autostradën I-96, në Livonia, shkruan A2 CNN.
Sipas autoriteteve, policia identifikoi automjetin e vjedhur dhe përdori një pajisje të quajtur “kapëse” për ta ndaluar. Pajisja funksionon duke vendosur një rrjetë të fortë rreth boshtit të pasmë të makinës, e cila lidhet me automjetin e policisë. Kështu, kur makina e policisë ndalon, edhe automjeti i ndaluar nuk mund të lëvizë më.
Por, siç tregojnë pamjet e regjistruara, drejtuesi i makinës së vjedhur tentoi disa herë të shpëtonte nga rrjeta dhe të vazhdonte arratisjen. Përpjekjet e tij dështuan dhe përfunduan me shkëputjen e plotë të boshtit të pasmë nga makina.
Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjet. Për fat të mirë, nuk u raportuan persona të lënduar gjatë incidentit. (A2 Televizion)