Një kamion që shpërndante pije freskuese ra në një gropë të madhe në Meksiko Siti të shtunën, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar, raportojnë mediat lokale, përcjell A2 CNN. Ngjarja ndodhi në Iztapalapa, njësia më e populluar e kryeqytetit meksikan. Kamioni u zhyt me pjesën e pasme në gropë, ndërsa banorët shikonin të habitur. Pesha e automjetit e bëri që ai të zhytej edhe më shumë, ndërsa pamjet e kapura nga dëshmitarët u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale.
Agjencia “Reuters” verifikoi vendndodhjen duke përdorur imazhe satelitore të rrugës dhe konfirmoi datën përmes raporteve të publikuara në internet mbi aksidentin.
Kryetarja e bashkisë së Iztapalapës, Aleida Alavez, vizitoi zonën e rrethuar për të mbikëqyrur punimet e nxjerrjes së kamionit. Në një postim në platformën X, ajo deklaroi se “nga këqyrja paraprake del se sistemi i kanalizimeve, i cili është shumë i vjetër, është shembur”.
Autoritetet lokale po punojnë për të siguruar zonën dhe për të rikthyer qarkullimin normal në rrugë. (A2 Televizion)