Një video e publikuar nga Parku Safari i Kopshtit Zoologjik të San Diegos tregon reagimin mbresëlënës të elefantëve afrikanë pas tërmetit që goditi Kaliforninë Jugore të hënën, shkruan A2 CNN. Tërmeti, me një magnitudë paraprake 5,2, shkaktoi probleme në shumë zona, përfshirë edhe ambientet e parkut.
Menjëherë pas ndjesisë së lëkundjeve, elefantët u mblodhën rreth këlyshit të tyre në një formacion të njohur si “rrethi i alarmit” – një sjellje mbrojtëse që ka për qëllim sigurimin e të vegjëlve dhe ruajtjen e sigurisë së gjithë tufës. Në pamjet e filmuara, elefantët shfaqen duke u vendosur instinktivisht rreth këlyshit, duke krijuar një mburojë të gjallë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm.
Zyrtarët e kopshtit zoologjik thanë se kjo sjellje është plotësisht natyrale dhe tregon ndjenjën e fortë të bashkëpunimit dhe mbrojtjes që ekziston brenda tufës së elefantëve. Pas disa minutash, kur situata u qetësua, elefantët iu rikthyen sjelljes së tyre të zakonshme. (A2 Televizion)