Prej vitesh banorët e Tropojës, dhe jo vetëm, shpërngulen gjatë verës në bjeshkë për të sezonin e mbledhjes së boronicës. Fruti që rritet në natyrën e egër është burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje. Të moshuar, të rritur e madje edhe fëmijë, jetojnë në stane për disa javë, teksa çdo ditë mbledhin boronica, aq shumë të kërkuara për tregun vendas e më gjerë.
Në episodin e radhës të emisionit “Hotspot”, gazetari Armend Pire udhëtoi pikërisht në bjeshkët e Tropojës për t’u takuar me banorët e zonës. Rruga për në bjeshkë është e gjatë, afro 2 orë me makinë, në një terren të thyer. Në fshatin Trokuz, Drenica bashkë me dy fëmijët e saj, mbledhin për çdo vit boronica. Ajo jeton në Tiranë por në bjeshkë ka nënën dhe të vëllain që po ashtu mbledhin boronica dhe jetojnë në stan.
“ Dalim 1 muaj, një muaj e gjysmë në stane. Dal vit për vit, për thuajse 25 vite me radhë. Është një mënyrë argëtimi për fëmijët por edhe fitimprurëse, punojmë. Unë jam bijë këtu dhe e shijojë shumë. Për fëmijët klima është shumë e mirë pasi gjatë gjithë dimrit thuajse nuk sëmuremi kurrë nga virozat. Fëmijët janë shumë të qetë dhe u bën mirë bjeshka, e shijojnë shumë. I bëjë thirrje të gjithë tropojanëve të kthehen në bjeshkë, por edhe shqiptarëve, për t’u kthyer. Shqipëria është vend i mrekulueshëm dhe kushdo që është puntor e gjen veten kudo” – tha Drenica për A2 CNN.
Si Drenica ka me dhjetra banorë të tjerë që mbledhin boronica, madje edhe më të moshuarit. Zoje Buçpapaj është 70 vjeçe. Ajo ka një jetë në bjeshkë duke mbledhur boronica, një punë që në këtë moshë thotë se e bënë nga nevoja.
“ Dalë në orën 10:00 dhe kthehem nga mali në orën 17:00, 7 orë duke mbledhur boronica në pyll. Është punë e lodhshme, çfarë të bëjmë. Rinia janë lodhur, s’kanë punë, po se dinë që boronica ka lekë. Nga halli e bëjmë këtë punë. Do vdes te kova e boronicës, mos të ishin këto, ç’do bënim tjetër ne?! I bëjë thirrje të rinjve të vijnë në bjeshkë për të mbledhur boronica, shumica kanë ikur në emigrim. Nuk e duan punën në bjeshkë” – tha e moshuara.
Çdo familje që shpërngulet në bjeshkë për boronica arrinë të sgurojë një fitim nga 4 mijë deri në 6 mijë euro. Një kilogram boronicë në bjeshkë shitet 4 euro, teksa fitimet për banorët janë të kënaqëshme për sezonin që punojnë. (A2 Televizion)