Zbulohet thesari i humbur i mercenarëve në Turqi

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 20:05 | Lifestyle

Zbulohet thesari i humbur i mercenarëve në Turqi

Një zbulim i rrallë arkeologjik ka hedhur dritë mbi historinë e mercenarëve në luftërat e lashta. Një ekip nga Universiteti i Miçiganit ka gjetur një thesar me monedha ari në Turqi, i cili sipas ekspertëve daton në shekullin V para Krishtit. Thesari u zbulua në një enë balte, rreth 96 kilometra në verilindje të qytetit antik të Notionit, pranë Sardes, një qendër kyçe në konfliktet greke, persiane e më vonë osmane.

Profesori Christopher Ratte, drejtor i projektit Notion Archaeological Survey, deklaroi se zbulime të tilla janë jashtëzakonisht të rralla. “Askush nuk varros një thesar me monedha ari pa synuar ta marrë më vonë. Vetëm një fatkeqësi e madhe mund të shpjegojë ruajtjen e tij për kaq gjatë,” theksoi ai, shkruan A2 CNN.

Sipas historianit grek Jenofont, një monedhë dárike përbënte pagën mujore të një ushtari. Ky fakt mbështet teorinë se thesari i zbuluar mund të ketë qenë i destinuar për pagesën e trupave mercenare. Edhe pse prova është ende “rrethanore”, sipas Ratte, kohëzgjatja dhe konteksti historik përputhen plotësisht.

Notioni, që në shekullin VI p.K. u bë pjesë e Perandorisë Persiane, më vonë kaloi nën kontrollin grek dhe u rikthye sërish nën persët, deri në pushtimin nga Aleksandri i Madh në vitin 334 p.K. Si qytet në vijën e parë të përplasjeve, ai përdorte shpesh mercenarë për të mbështetur forcat vendase.

Ekspertët besojnë se humbja e një beteje mund të ketë bërë që thesari i destinuar për mercenarët të mbetej i fshehur, për t’u zbuluar vetëm pas më shumë se dy mijë vjetësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos