Për të pestin vit me radhë, Vietnam është shpallur vendi më i lirë në botë për të jetuar, sipas raportit të InterNations. Ky vlerësim nuk vlen vetëm për vendasit, por edhe për turistët e huaj apo të huajt që zgjedhin të jetojnë e punojnë aty.
Sipas të dhënave, 89% e punonjësve ndërkombëtarë të vendosur në Vietnam shprehen të kënaqur me koston e ulët të jetesës, ndërsa 87% pohojnë se të ardhurat e tyre janë më se të mjaftueshme për një jetë komode.
Vendi është kthyer në një destinacion të preferuar për historinë, kuzhinën e pasur dhe peizazhet e larmishme. Po ashtu, konsiderohet një shtet i sigurt dhe i qëndrueshëm, duke u renditur i 38-ti mes 163 vendeve në Indeksin Global të Paqes, shkruan A2 CNN.
Çmimet në Vietnam janë dukshëm të ulëta: Një vakt në restorant ekonomik kushton vetëm 1,61 €, ndërsa një darkë për dy persona rreth 23 €. Një kilogram banane shitet 0,87 €, ndërsa litri i benzinës kushton vetëm 0,71 €.
Abonimi mujor i transportit publik është 6,90 €, ndërsa një udhëtim me taksi për 1 km kushton vetëm 0,46 €.
Ky raport e vendos Vietnamin në krye të listës së 10 vendeve më të lira për të jetuar, ndjekur nga Kolumbia, Panama, Kina, Tailanda, Indonezia, Filipinet, Meksika, Malajzia dhe Brazili. (A2 Televizion)