Qyteti fantazmë 85 miliardë dollarë që u “pushtua” nga krokodilët

Nga A2 CNN
10 Shtator 2025, 18:46 | Lifestyle

Qyteti fantazmë 85 miliardë dollarë që u

Një dekadë më parë, projekti gjigant “Forest City” në Malajzi u prezantua si një nga gurët e çmuar të iniciativës kineze “One Belt, One Road”. Me investime që kapën shifrën marramendëse prej 85 miliardë eurosh, ai synonte të ndërtohej mbi katër ishuj artificialë për të strehuar mbi 700 mijë banorë. Sot, kjo ëndërr është shndërruar në një qytet fantazmë, me qiellgërvishtës, rrugë të zbrazëta dhe paralajmërime për krokodilë përgjatë bregut.

I ndodhur përballë ngushticës së Johorit, vetëm 15 kilometra nga Singapori, Forest City u konceptua si një qytet modern, ekologjik dhe luksoz, me fusha golfi, parqe ujore, qendra tregtare dhe hapësira biznesi. Sipërfaqja e tij do të ishte gati katër herë më e madhe se Monako. Por dhjetë vjet pas fillimit të punimeve, vetëm 15% e projektit është realizuar.

Për shkak të çmimeve stratosferike, ku një apartament kushton mbi 1.1 milionë dollarë, ndërsa në Johor Bahru mesatarja është vetëm 141 mijë dollarë, qyteti mbeti i paarritshëm për malajzianët e zakonshëm. Sot, vetëm pak banorë jetojnë në ndërtesat gjigante, shumica e apartamenteve janë të errëta dhe qendrat tregtare bosh. “Ky vend është i frikshëm, edhe ditën korridoret janë të errëta. Na vjen keq për ata që investuan këtu. Ne duam të largohemi sa më shpejt,” tha një banore për mediat, shkruan A2 CNN.

Shkaqet janë të shumta: kriza e tregut kinez të pasurive të paluajtshme, kufizimet e ish-kryeministrit malajzian Mahathir Mohamad për vizat e blerësve kinezë dhe kritikat ndaj një projekti që shihej si “qytet për të huajt”. Pandemia e COVID-19 e përkeqësoi edhe më tej situatën.

Sot, Forest City është simbol i iluzioneve të mëdha urbanistike që përplasen me realitetin: një qytet bosh me qiejgërvishtës të heshtur, plazhe të shkretuara dhe krokodilë që enden pranë brigjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos