
Rregulloret ndërkombëtare të vendosura nga EASA (Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit) dhe FAA (Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-s), kërkojnë që një avion të evakuohet brenda 90 sekondash, por studimet e fundit tregojnë se kjo është gjithnjë e më e vështirë për t’u arritur.
Sipas standardeve të vendosura nga EASA dhe FAA, të gjithë pasagjerët duhet të largohen nga avioni në këtë kohë, duke përdorur vetëm gjysmën e daljeve të emergjencës.
Një studim i publikuar në revistën shkencore AIP Advances ka analizuar ndikimin e rritjes së numrit të pasagjerëve mbi 60 vjeç në kohën e evakuimit.
Studiuesit kanë simuluar 27 skenarë të ndryshëm emergjence, duke përfshirë një zjarr në motorët e avionit Airbus A320. Ata përdorën programe të avancuara për të testuar shpërndarje të ndryshme të pasagjerëve, duke ndryshuar përqindjen dhe pozicionin e personave mbi 60 vjeç.
Edhe në skenarin më të mirë, me 152 pasagjerë (30 prej tyre mbi 60 vjeç), evakuimi zgjati 141 sekonda, pra 51 sekonda më shumë se kufiri i lejuar.
Sipas studiuesve, faktorë si ulja e shpejtësisë së reagimit dhe e lëvizshmërisë tek të moshuarit ndikojnë drejtpërdrejt në vonesat gjatë situatave emergjente.
Me rritjen e popullsisë së moshuar në Evropë, ekspertët paralajmërojnë se kompanitë ajrore duhet të rishikojnë mënyrën e organizimit të pasagjerëve në kabinë për të garantuar sigurinë.
Hapi i ardhshëm i studimit do të fokusohet edhe tek kategori të tjera të ndjeshme, si fëmijët dhe gratë shtatzëna, për të përmirësuar protokollet e emergjencës dhe për t’i përshtatur ato me realitetin e sotëm të udhëtarëve. (A2 Televizion)