
Një pllakë misterioze bazalti e zbuluar në vitin 2021 në Dmanisi të Gjeorgjisë po trazon komunitetin shkencor, pasi përmban një sistem shkrimi që nuk përputhet me asnjë alfabet të njohur. Pllaka, e gjetur rastësisht nga peshkatarë në liqenin artificial Bashplemi, është studiuar në detaje dhe rezultatet u publikuan në vitin 2024 në “Journal of Ancient History and Archaeology” me titullin "Discovery of Unknown Script Signs in Georgia: The Bashplemi Lake Tablet".
Objekti, me madhësinë e një libri, është i gdhendur me 60 simbole, 39 prej të cilave unikë dhe të shkruara në shtatë rreshta. Shenjat janë bërë me shpime konike dhe mjete gërryese, një proces që kërkon kohë dhe forcë, duke treguar se krijuesi i saj synonte ta ruante informacionin për një kohë të gjatë. Gjeologët konfirmojnë se bazalti është vendas dhe analiza tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një falsifikim modern, shkruan A2 CNN.

Studiuesit e kanë krahasuar shkrimin me më shumë se 20 sisteme të njohura nga alfabetet semitike e greqishtja e hershme, te shkrimet proto-gjeorgjiane dhe simbolet e Epokës së Hekurit të rajonit. Por nuk u gjetën përputhje të plota. Ngjashmëritë më të mëdha shfaqen me shenjat proto-gjeorgjiane, çka sugjeron një traditë të humbur shkrimi që mund të datojë në shekujt XIII–IX para Krishtit.
Studiuesit hipotetizojnë se mund të jetë një listë plaçkash lufte, veprash publike ose një ofertë kushtimi e regjistruar për një hyjni. Por pa ditur kuptimin fonetik të shenjave, çdo hipotezë mbetet e panjohur.A është kjo një gjuhë e re? Studiuesit janë të kujdesshëm, por ajo që dihet me siguri është se pllaka përfaqëson një sistem shkrimi të panjohur më parë, ndoshta pjesë e një tradite më të gjerë tashmë të zhdukur. Si Disku i Faistos për Egjeun, pllaka e Bashplemit hap një dritare të re mbi misteret e Kaukazit të lashtë. (A2 Televizion)