Studimi befasues: Punët më të kënaqshme nuk lidhen me pagën

Nga A2 CNN
26 Maj 2025, 16:54 | Lifestyle

Studimi befasues: Punët më të kënaqshme nuk lidhen me

Një studim i kryer me mbi 59,000 punonjës në Estoni ka zbuluar se kënaqësia në jetë dhe në punë nuk lidhet drejtpërdrejt me pagën apo prestigjin.

Sipas studimit, profesionistët fetarë, punëtorët e vetëpunësuar dhe llamarinistët janë më të kënaqurit me jetën. Psikologët, profesionistët e shëndetit dhe masazhatorët gjithashtu u renditën në dhjetëshen më të kënaqur.

Nga ana tjetër, postierët, kamerierët, rojet e sigurisë, kasapët dhe instruktorët e makinave janë ndër më pak të kënaqurit, përcjell A2 CNN.

Ndërsa dentistët, obstetërit (gjinekologët) dhe parukierët shfaqin nivelet më të larta të kënaqësisë në punë, por edhe shkrimtarët, zhvilluesit e softuerëve dhe profesionistët fetarë dhe të shëndetit. Nga ana tjetër, transportuesit, punëtorët, ndihmësit e kuzhinës dhe kamerierët nuk ishin shumë të kënaqur.

Ata u pyetën për punën e tyre, pagën, personalitetin dhe sa të kënaqur ishin me jetën në përgjithësi dhe me punën në veçanti.

Rezultatet janë publikuar në "PsyArXiv Preprints" dhe tregojnë sipas ekspertëve se mungesa e stresit dhe ndjenja e përmbushjes ndikojnë më shumë në lumturinë e një personi, sesa të ardhurat apo statusi.

“Prisja që prestigji i një pune të ishte i lidhur fort me kënaqësinë që marrim prej saj, por gjetëm vetëm një korrelacion të lehtë midis të dyjave”, shpjegon Kätlin Anni, një nga autoret e studimit, duke shtuar se “punët me prestigj të ulët mund të jenë shumë të kënaqshme”, citon A2 CNN.

Ekspertja vëren gjithashtu një faktor që është i përbashkët për punët më pak të kënaqshme, stresin, i cili shpesh vjen nga një rol i rëndësishëm me shumë përgjegjësi, siç është ai i një menaxheri në një kompani të madhe apo ndërkombëtare. Kjo, thekson ajo, do të shpjegonte gjithashtu pse punëtorët e vetëpunësuar u gjetën të jenë ndër më të kënaqurit me jetën e tyre .

Ndërsa pranon se disa aspekte të këtij studimi mund të jenë të vlefshme edhe në vende të tjera, ekspertja këshillon që të mos përgjithësohet, pasi në Estoni mund të ketë norma kulturore që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit e perceptojnë punën e tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos