Arkeologët kanë zbuluar qytetin e humbur egjiptian Imet, që daton rreth 2,500 vite më parë. I ndodhur rreth 10 kilometra në jug të Tanisit, në deltën e Nilit, Imet dikur ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe ekonomike në shekullin IV p.e.s.
Ekipi i udhëhequr nga Dr. Nicky Nielsen nga Universiteti i Mançesterit, në bashkëpunim me Universitetin e Sadat City, identifikoi rrënojat përmes teknologjisë së imazheve satelitore me rezolucion të lartë. Gërmimet zbuluan hambare, stalla për bagëti dhe një ndërtesë ceremoniale kushtuar perëndeshës Wadjet, perëndesha e kobrës dhe mbrojtësja e Egjiptit të Poshtëm, shkruan A2 CNN.
Një nga zbulimet më të rralla janë ndërtesat shumëkatëshe, të njohura si ‘tower houses’. “Këto shtëpi të larta tregojnë se Imet ishte një qytet i zhvilluar dhe i populluar dendur me infrastrukturë komplekse urbane,” tha Dr. Nielsen.
Qyteti besohet të jetë banuar që nga dinastia e 18-të rreth vitit 1550 p.e.s. dhe ishte kryeqytet i një distrikti administrativ të quajtur Nome. Kulmi i zhvillimit të tij ishte gjatë periudhës së Vonë të Egjiptit, pak para pushtimit nga Aleksandri i Madh në vitin 332 p.e.s.
Gjithashtu u gjetën artefakte të rralla, si një instrument bakri i quajtur ‘sistrum’, i zbukuruar me fytyrën e perëndisë Hathor, që lidh jetën shpirtërore me jetën e përditshme të banorëve. (A2 Televizion)