Gjendet rastësisht pas 37 vitesh statuja e Jim Morrison që u vodh nga varri

Nga A2 CNN
20 Maj 2025, 19:31 | Showbiz

Gjendet rastësisht pas 37 vitesh statuja e Jim Morrison që u vodh nga

Një bust i këngëtarit legjendar amerikan, Jim Morrison, që ishte vjedhur nga varri i tij në Paris 37 vite më parë, është gjetur rastësisht nga policia franceze. Lajmi është konfirmuar nga njësia financiare dhe antikorrupsion e policisë, e cila e bëri zbulimin gjatë një hetimi të pavarur për mashtrim, pa lidhje me vjedhjen fillestare.

Busti prej mermeri, i punuar nga artisti kroat Mladen Mikulin në vitin 1981 për të përkujtuar 10-vjetorin e vdekjes së Morrison, ishte zhdukur në vitin 1988 dhe nuk ishte parë më prej atëherë. Ai qëndronte mbi varrin e këngëtarit në varrezat e famshme Père-Lachaise në Paris, ku prehen edhe figura të tjera ikonike si Edith Piaf dhe Oscar Wilde.

Përfaqësuesit e familjes Morrison kanë reaguar pozitivisht ndaj lajmit, duke thënë për revistën Rolling Stone se janë të "lumtur që një pjesë e historisë është gjetur" dhe se familja do të donte që busti të rikthehej në vendin e tij origjinal.

Varri i Jim Morrison ka qenë për dekada një vend pelegrinazhi për adhuruesit e muzikës rock. Por ai ka qenë edhe burim polemikash, në 20-vjetorin e vdekjes së tij, fansat shkaktuan trazira gjë që kërkoi ndërhyrjen e policisë për t’i shpërndarë.

Jim Morrison, një nga figurat më të spikatura të skenës muzikore të viteve ’60, ishte vetëm 27 vjeç kur u gjet i vdekur në banesën e tij në lagjen Marais të Parisit, në vitin 1971. Vdekja u përcaktua si pasojë e një arresti kardiak të shkaktuar nga konsumimi i alkoolit.

Ai ishte djali i një admirali të Marinës Amerikane dhe lindi në Florida në vitin 1943. Në vitin 1965, themeloi grupin e famshëm The Doors në Los Anxhelos, bashkë me tastieristin Ray Manzarek. Emri i grupit u frymëzua nga libri i Aldous Huxley, The Doors of Perception, një reflektim mbi përvojat psikedelike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos