Shtëpia e aktorit të njohur Brad Pitt në lagjen Los Feliz të Los Angeles është grabitur nga tre persona. Sipas Policisë së Los Angeles, autorët hynë në banesë përmes një dritareje dhe “e grabitën plotësisht” ambientin. Edhe pse policia nuk e konfirmoi zyrtarisht identitetin e pronarit, adresa e përputhur është ajo e një prone që Brad Pitt bleu në vitin 2023, shkruan BBC.
Grabitësit kanë arritur të largohen me sende të vjedhura, por nuk është bërë e ditur ende se çfarë saktësisht është marrë. Aktori nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes. Mediat amerikane raportojnë se ai ishte në Mbretërinë e Bashkuar për premierën në Londër të filmit të tij të ri “F1”, që publikohet këtë të premte. Në këtë event ai shoqërohej nga aktori Tom Cruise dhe kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 me orën lokale. Policia nuk ka dhënë informacione për vlerën e sendeve të grabitura. As përfaqësuesit e aktorit nuk kanë komentuar ende mbi incidentin.
Shtëpia tre-katëshe me tre dhoma gjumi ndodhet pranë Griffith Park, shumë afër me simbolin ikonik të “Hollywood”-it, dhe është e rrethuar me gardh të lartë dhe gjelbërim, duke e izoluar nga syri i publikut. (A2 Televizion)