Quentin Tarantino zbulon filmin e tij më të mirë

Nga A2 CNN
19 Gusht 2025, 16:35 | Showbiz

Quentin Tarantino zbulon filmin e tij më të mirë

Regjisori i famshëm hollivudian, Quentin Tarantino, ka zbuluar se cili nga filmat e tij konsiderohet si më i miri dhe cili mbetet më i dashuri për të... Dhe zgjedhja e tij mund të jetë surprizuese për shumë fansa.

Tarantino, fitues i dy çmimeve Oscar për skenarët e filmave “Pulp Fiction” (1994) dhe “Django Unchained” (2012), nuk i rendit asnjërin prej tyre në krye të listës. Sipas tij, filmi më i arrirë i karrierës është “Inglourious Basterds” (2009), ndërsa më i preferuari mbetet filmi i tij më i fundit, “Once Upon a Time… in Hollywood” (2019).

Këto deklarata regjisori i bëri gjatë një interviste në podcast-in “The Church of Tarantino”, ku foli hapur për krijimtarinë e tij. “‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është filmi im i preferuar, ‘Inglourious Basterds’ është më i miri, por ‘Kill Bill’ është filmi që më shkon më shumë për shtat, sepse askush tjetër nuk mund ta kishte realizuar”, tha ai.

Quentin Tarantino zbulon filmin e tij më të mirë

“Inglourious Basterds”, i vendosur në Francën e pushtuar nga nazistët dhe me aktorë si Brad Pitt e Christoph Waltz, rrëfen historinë e një grupi ushtarësh hebrenj amerikanë që planifikojnë të vrasin udhëheqësit nazistë. Nga ana tjetër, filmat “Kill Bill”, me Uma Thurman në rolin kryesor, për Tarantinon përfaqësojnë shkrirjen e plotë të imagjinatës dhe pasioneve të tij artistike, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, regjisori pranoi se disa nga veprat e para kanë edhe të metat e tyre. Ai përmendi “Reservoir Dogs” dhe “Pulp Fiction”, duke thënë se disa skena përmbajnë “gjëra amatoreske” si pajisje të dukshme në ekran apo shenja teknike të xhirimeve. “Më duhen të paktën dy filma për të kuptuar si bëhet vërtet kjo punë”, u shpreh me humor Tarantino.

Ndërkohë, regjisori ka nisur xhirimet për projektin e tij të fundit, “The Adventures of Cliff Booth”, një vazhdim i “Once Upon a Time… in Hollywood”. Filmi do të ndjekë historinë e dublantit të famshëm Cliff Booth, të luajtur nga Brad Pitt, i cili në filmin e parë ishte krahas Leonardo DiCaprio-s.

Tarantino ka deklaruar më herët se projekti i ardhshëm do të jetë filmi i tij i fundit si regjisor. Fillimisht ishte përfolur se kjo do të ishte vepra “The Movie Critic”, por ai e braktisi idenë duke thënë se kishte humbur interesin për ta sjellë historinë në ekran. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos