
Marrëdhënia e qytetarëve me pronën tashmë do të jetë më e lehtë përmes inovacionit. Vitin e ardhshëm do të nisë zbatimin projekti për digjitalizimin e arkivës të pasurive të paluajtshme. Ai do të zbatohet në dy faza për periudhën 2022-2023.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht nga 4 milionë pasuri të paluajtshme vetëm 2,8 milionë pasuri kanë referencë pasurore dhe vetëm 700,000 prona rezultojnë të regjistruara me dosje të plotë.
Faza e parë e projekti për digjitalizimin e kadastrës përfshin skanimin e të gjithë referencave të pasurive të paluajtshme, pra e gjithë dosja historike me dokumentet origjinale.
Faza e dytë është skanimi dhe digjitalizimi i kartelave të pasurisë, që aktualisht janë manuale. Kjo do të sjellë që sa herë që bëhet aplikimi, shërbimi të ofrohet automatikisht. Për zv.kryeministrin Arben Ahmetaj ky duhet konsideruar një revolucion industrial.
“Po kalojnë vite dhe mund të pafund për të pasur në dorë letrën e pronës së vet ose të trashëguar. Qeveria tashmë e vendos veten si përgjegjëse, për ta bërë fare të shpejt, përmes një klikimi”, deklaroi Ahmetaj.
Plani i ardhshëm i qeverisë në kuadër të inovacionit do të jetë dhe digjitalizimi i shërbimeve të policisë dhe sektorit të bujqësisë. (A2 Televizion)