Talenti i Chelsea, Armando Broja, është një nga futbollistët e rinj të ekipit londinez që sot realizoi ëndrrën që të debutonte me ekipin e parë të “Bluve”.
Tetëmbëdhjetë vjeçari shqiptar hyri në fushë në minutat e fundit të ndeshjes Chelsea-Everton duke hedhur kështu hapin e parë drejt një karriere që tifozët blu janë të bindur se do të jetë e shkëlqyer.
Si shumë futbollistë të tjerë që luajnë me të rinjtë e Chelsea, edhe Broja ka idhull ish-sulmuesin Didier Drogba.
“Ai ka qenë makineri, shumë i fortë, finalizues i mrekullueshëm dhe ka patur një karrierë fantastike. Ka fituar shumë dhe linte gjithmonë shenjën në ndeshjet e mëdha”, ka thënë Broja.
I riu shqiptar nuk harron të përmendë edhe brazilianin Ronaldo: “Babai im më ka treguar në fillim për të dhe kam parë shumë video të tij. Ishte i fortë, i shpejtë, luante mirë me të dyja këmbët… I kishte të gjitha”.
Edhe pse sot debutoi me Chelsea, Broja e nisi karrierën me të rinjtë e Tottenham. Në një ndeshje kundër akademisë së Chelsea, Broja shkëlqeu duke bërë që “Blutë” ta kërkonin me ngulm për akademinë e tyre.
“Kam luajtur dy vite për U8 dhe U9 të Tottenham. Gjatë asaj kohe jemi përballur shpesh me Chelsea dhe ata më pëlqyen shumë, prandaj iu bashkova Chelsea”, ka treguar shqiptari për faqen e internetit të Chelsea. (A2 Televizion)