
Armand Duka “doctor honoris causa”. Titullin prestigjioz, kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, ia dha sot në një ceremoni të posaçme Universiteti i Sporteve i Tiranës me motivacionin “Për kontributin e çmuar në promovimin e modeleve dhe praktikave më të mira në fushën e sportit dhe në veçanti të futbollit në Shqipëri”.
Presidenti i FSHF-së, falënderoi Universitetin e Sporteve të Tiranës për vlerësimin dhe theksoi se ndihej mjaft i nderuar për marrjen e këtij titulli.
“Njeriu në jetë përpiqet, vendos objektiva, i realizon ato dhe kërkon më tepër. Gëzohet për sukseset dhe trishtohet për mosrealizimet. E rëndësishme është që kur të kthesh kokën pas, të ndjesh kënaqësi për gjurmët që ke lënë, për të mirat që i vlejnë njerëzve, shoqërisë e vendit tënd. Dhe pas gjithë këtyre, ndihesh mirë kur të vlerësojnë”, tha ai.
Në ceremoninë e organizuar nga Universiteti i Sporteve i Tiranës ishin të pranishëm ndër të tjerët Ambasadori i Hungarisë në Shqipëri, Lóránt Balla, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, trajneri i ekipit kombëtar, Edoardo Reja, ish-futbollistë të njohur dhe ish-trajnerë shqiptarë. (A2 Televizion)