“Arrest me burg”, si hiqet imuniteti për socialistin Alqi Bllako?

Nga A2 CNN
29 Mars 2022, 14:45 | Politikë
“Arrest me burg”, si hiqet imuniteti për socialistin Alqi

Arrestimi i një deputeti kërkon angazhimin e të gjithë Parlamentit, pasi deputetët gëzojnë një imunitet të veçantë. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Alqi Bllakos kërkon të paktën 71 vota pro në Parlament, ku deri në arritjen e seancës së votimit, do të duhet të zhvillohet debati parlamentar në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Të vesh një deputet në pranga nuk është njësoj si të arrestosh një keqbërës të rëndomtë. Kushtetuta e Shqipërisë i jep ligjvënësve imunitetin parlamentar, ku për çdo masë sigurie do të duhet të jepet autorizim nga Kuvendi. Sipas Rregullores së Kuvendit, Prokuroria, që në rastin e Alqit Bllakos është SPAK-u, do të duhet të dorëzojë një kërkesë, ku të kërkojë autorizimin e posaçëm. Kërkesa e SPAK-ut do të duhet të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, i cili njoftohet menjëherë nga Kryetari i Kuvendit.

Nga marrja e njoftimit, 10 anëtarët e Këshillit kanë dy javë kohë për t’i paraqitur seancës plenare një raport, ku i propozojnë Parlamentit dhënien ose jo të autorizimit për vendosjen e masës së sigurisë.

Rregullorja nënvizon se nëse brenda tre muajve nuk jepet ky pëlqim, atëherë kërkesa quhet e rrëzuar, por nga eksperienca e dy mandateve të shkuara të mazhorancës socialiste, kërkesat e prokurorisë janë pranuar të gjitha, përjashtuar një rast, atë të Saimir Tahirit. Kur ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dhënien e autorizimit të arresit me burg për ish-deputetin socialist, kolegët e tij e rrëzuan kërkesën, duke i dhënë të drejtë organit të akuzës vetëm për arrestin e shtëpisë, e jo vendosjen prapa hekurave.

Kësisoj, precedentët parlamentarë dhe besnikëria socialiste për të tijët mund të jetë asi nën mëngë që Bllako të mos përfundojë menjëherë pas hekurave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos