
Partia Demokratike nuk është e kënaqur me urdhërarrestet e lëshuara nga SPAK për inceneratorin e Fierit këtë të mërkurë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD, Floriana Garo, tha se të gjithë emrat, përveç Mirel Mërtirit, janë “cironka në detin e zi të hajdutërisë qeveritare”.
“Partia Demokratike nuk mund të pajtohet me masakardën që fshehin 11 urdhër - arrestet e SPAK! Nuk mund të bëjë sikur nuk e sheh ‘lojën e medemekut’, që prokurorët specialë luajnë në kurriz të interesave të publikut. Shërbëtorët e pallatit, që u listuan sot si të kërkuar, apo u arrestuan disa prej tyre, kanë fajin e pjesëmarrjes në skemë, por nuk janë ata, as skema dhe as hartuesit dhe përfituesit e saj. SPAK-u e lëvizi bishtin, por jo për të gjetur rrënjët e skemës dhe aferës qindra milionëshe të inceneratorëve, por për t’u marrë me bishtat që kanë tepruar, dënimi i të cilëve ruan kokën e përgjegjësve të vërtetë”, tha Garo.
“Partia Demokratike nuk ka sot një thirrje për të bërë, por e bëjmë këtë dalje në respekt të publikut. Thirrjet në vesh të shurdhër do të zëvendësohen me aksion. Mjafton të përsërisim se 430 milionë euro nuk është një shumë të cilën mund ta lëvizin bishtat, si ata që u listuan sot nga SPAK”.
11 urdhër arreste çuan në pranga 5 persona të përfshirë në aferën e incineratorit të Fierit, ndërsa 6 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim pas dyshimeve të prokurorisë se kanë marrë shuma deri në 4 milionë euro për të raportuar punime të pakryera.
Nga hetimet ka rezultuar se fillimisht Ministria e Mjedisit ka bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare të zotëruar nga Klodian Zoto në shumën e 4 milionë eurove, ndërsa Zoto si aksioner kryesor i shoqërisë ka pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara për shërbime që nuk janë kryer në këtë vlerë.
Mes personave të shoqëruar është dhe Arben Drvishaj i cili është zv.president i Shoqatës së Ndërtuesve dhe numri dy i FSHF-së. Sipas hetimeve të SPAK, Arben Dervishaj në rolin e mbikëqyrësit te punimeve ka konfirmuar se janë kryer punimet në inceneratorin e Fierit, ndërkohë që nga hetimet e thelluara ka rezultuar që punimet nuk kanë qenë si janë deklaruar prej tij.
Gjithashtu sipas akuzës kanë rezultuar të dhëna se Klodian Zoto, dhe disa prej të arrestuarve të tjerë si Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani kanë vënë në funksionim dhe skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar.
Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i ka shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59,915,020 milionë lekë.
Në lidhje me hetimet për inceneratorin e Fierit, në burg është ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie Alqi Bllako. Të dy dyshohet se kanë përfituar shuma parash për të favorizuar kompaninë në emër të Zotos dhe Stela Gugalljas, të dy të shpallur në kërkim. (A2 Televizion)