
Seanca e kësaj të enjteje mund të konsiderohet si më e qeta ne këtë sesion parlamentar. Shtatë deputetë zgjodhën që të flisnin në foltoren e Kuvendit ku i vetmi zë opozitar ishte ai i Jorida Tabakut. Duke marrë shkasë nga arrestimi i ish-Ministrit të Mjedisit, nënkryetarja e PD-së kërkoi nga SPAK vijimin e aksionit edhe në hallka të tjera qeverisëse.
“Prandaj sot, pakkush nga ne është i kënaqur jo vetëm sepse përditë e më shumë po zbulojmë që ka “hajdut dy metra”, por sepse fatkeqësisht ky “hajdut dy metra” vazhdon të na bëjë rolin e njeriut që nuk di. Sot, përpara drejtësisë duhet të ishin në rresht të korruptuarit, duke nisur nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi”, tha nënkryetarja e PD-së.
Çështja e inceneratorëve nuk po hetohet vetëm nga SPAK, por edhe nga vetë Kuvendi, përmes një komisioni të drejtuar nga Tabaku. “Këta njerëz kanë sulmuar dhe kërcënuar jo vetëm mediat, por edhe deputetë të PD-së, qytetarë që i shoqëronin këto deputetë pasi e mendonin veten të paprekshëm. Si kryetare e Komisionit Hetimor për Inceneratorët e shpreh qartë dhe publikisht se do të vazhdojmë hetimin e kësaj afere korruptive paralelisht me prokurorinë SPAK”.
Ndërtimi i impianteve të trajtimit të mbetjeve është denoncuar më herët edhe nga LSI-ja. Kryetarja e saj, Monika Kryemadhi, i paraqiti Prokurorisë së Posaçme disa materiale shtesë mbi padinë e depozituar ndaj ish-ministrit, Lefter Koka, që vinte pikërisht ngar radhët e kësaj partie. (A2 Televizion)