Arrestimi i Lefter Kokës, Ahmetaj: Përgjegjësia është individuale, jo politike

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2021, 13:14 | Politikë
Arrestimi i Lefter Kokës, Ahmetaj: Përgjegjësia është

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj është pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave edhe për çështjen e arrestimit të ish-ministrit, Lefter Koka për skandalin e inceneratorëve.

Pyetjes se a mban apo jo përgjegjësi qeveria, e cila ka lejuar ish-ministrin Lefter Koka të anashkalojë dhjetëra institucione dhe të marrë ryshfet rreth 4 milionë dollarë për skandalin e inceneratorëve, Ahmetaj iu përgjigj shkurt duke thënë se përballja me drejtësinë është individuale. “Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive as politike”, tha Ahmetaj.

Hetimi i SPAK për iceneratorin e Elbasanit çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe shpalli në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Ish-zyrtari i lartë Koka, ministër i LSI në qeverinë “Rama 1” u prangos në banesën e tij në Durrës dhe u dërgua në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë disa orë më vonë.

Ndërsa fletë-arrestet e prera në gjyqtari Erion Bani për dy biznesmenët, përfitues dhe zbatues të kontratës koncesionare nuk u ekzekutuan, për shkak të mosgjetjes së tyre. Ish-ministri akuzohet të ketë “shpërdoruar detyrën” gjatë procedurës së kontratës koncesionare, nga mungesa e dokumentacionit, deri në zbatimin e një procedure që nuk parashikohej në ligj.

Sipas SPAK, veprimet e kryera nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, si titullar i autoritetit kontraktor, kanë dëmtuar interesat e shtetit, si edhe i kanë sjellë përfitim të parregullt për shoqërinë “Albtek Energy”, që fitoi koncesionin.

Sa i përket veprës penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”, që rëndon mbi të tre të akuzuarit, SPAK ngre dyshime për një ryshfet gati 3,8 milionë euro të përfituar nga ish-ministri Koka. Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë përfitime të parregullta monetare nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy”sh.p.k. që përfitoi koncesionit dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që zbatoi punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve.

Paratë dyshohet se janë marrë në mënyrë të tërthortë, përmes krijimit të një skeme fiktive përkryerjen e punimeve në shoqërinë koncensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluar prej personave familjarë të tij, si edhe nga subjekte tregtare në zotërimin e tij. Sipas SPAK, përmes kësaj skeme ish-ministri ka përfituar shumat 2,9 milionë dhe 735 mijë euro nga dy shoqëritë, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek energy” për të marrë koncesionin. Këto shuma parash, janë justifikuar me fatura tatimore për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Po sipas SPAK, dy biznesmenët kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të maskuar origjinën dhe arsyen e transferimit të tyre. Bashkë me caktimin e masës së sigurisë, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi dy shoqëritë tregtare dhe pasuritë e dy biznesmenëve, si edhe pjesë takuese të aksioneve të ish-ministrit në një kantinë vere. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos