
Lulzim Basha, kryetari i PD-së, doli në një deklaratë për mediat, këtë të mërkurë, për të folur mbi aferën e inceneratorëve, siç e quan ai, një ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
“Ditën e djeshme, SPAK ka arrestuar Lefter Kokën dhe disa bashkëpunëtorë në aferën e inceneratorëve. Sot dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë me 4 mesazhe të qarta, të cilët i kemi komunikuar gjatë këtyre kohëve.
“Për PD-në, lufta kundër korrupsionit, njësoj si dekriminalizimi i politikës, është jetike për Shqipërinë, për shtetin ligjor, por mbi të gjitha për mirëqenien shqiptare. Ekonomia është problemi numër 1 në vend. Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Jemi dëshmitarë që inceneratorët kanë qenë sponsor kryesor për të hequr çdo lajm, madje edhe për të hequr gazetarë nga puna. Nuk kanë arritur të na mbyllin gojën ne. Në këtë sallë kemi denoncuar për 3 javë këtë aferë. Me thirrje dhe hapa ligjorë iu drejtuam SPAK-ut. Për PD-në dhe për mua si kryetar, misioni numër 1 është lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Kur SHBA-ja shpallin luftën kundër korrupsionit prioritet kombëtar. Përshëndes dhe mbështes drejtësinë në luftën ndaj korrupsionit. PD-ja e mbështet pa kushte drejtësinë. Përshëndes ata prokurorë dhe hetues që kanë filluar të godasin korrupsionin në nivelin më të lartë”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)