
Shkollat pa ngrohje janë vetëm një aspekt i asaj që demokratët e konsiderojnë keqadministrim të arsimit në këto kohë pandemie.
Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, deklaroi se premtimi i pambajtur për rritjen e pagave të mësuesëve, është një tjetër dëshmi e dështimit të qeverisë.
"Në mënyrë të përsëritur, provohet se Edi Rama nuk ka asnjë plan për të përballuar efektet e pandemisë në arsim. Dështim për të siguruar kushtet për mësim fizik në shkolla. Dështim për mësimin online. Dështim për mësimin e alternuar.
Për fat të keq, udhëzimi i vetëm i qeverisë për t’u mbrojtur nga covid është hapja dhe mbyllja e dritareve në shkolla në temperatura që shkojnë edhe në minus.
Këto ditë, në Partinë Demokratike kanë mbërritur mesazhe alarmante nga mësues e prindër nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Dibra, Fieri, Lushnja, Gjirokastra se në shkolla nuk ka ngrohje dhe mësimi po bëhet me orar akoma më të shkurtuar.
Premtimi për pagat jo vetëm nuk u mbajt, por ata po shfrytëzohen si skllevër, me dhjetëra orë të papaguara dhe të pambrojtur nga Covid. Me këtë rritje qesharake për 8 vjet, mësuesit nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, jo më të sigurojnë një jetesë më të mirë për vete dhe familjet e tyre.", deklaron mes të tjerash Vokshi. (A2 Televizion)