Arsimi profesional jep garanci të shtuar punësimi për vajzat dhe djemtë

Nga A2 CNN
4 Tetor 2022, 11:33 | Aktualitet
Arsimi profesional jep garanci të shtuar punësimi për vajzat dhe

Arsimi profesional në Shqipëri, falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë si UNICEF-i dhe mbështetjes së shtuar të qeverisë, ka përparuar dukshëm në kushtet e shkollimit si edhe në cilësinë e arsimit në përputhje me tregun e punës. Sipas këtyre të dhënave, të rinjtë që kanë kryer arsimin profesional kanë shanse më të mëdha të punësohen sesa ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm.

Eva Qordja, nxënëse në Shkollën Ekonomike Teknike të Tiranës, shpjegon se të rinjtë që ndjekin arsimin profesional, përfshi vajzat, kanë shanse më të mëdha për punësim dhe janë më të përgatitura për t’u përballur me mjedisin e punës, falë formimit të shtuar profesional që marrin në shkollë.

Ajo tregon se ndër mësimet e para që marrin është që të dinë sesi të komunikojnë me punëdhënësin, përfshi edhe në intervistat e punës. “Duke qenë se shkolla ofron këto praktika, ne jemi goxha të përgatitur. Punëdhënësi e di që ne e kemi prekur punën, dhe e dimë sesi është një regjim në një vend pune dhe sesi funksionon ajo. Ndoshta, ndaj kemi këtë trajtim prioritar nga punëdhënësit”, thotë Qordja.

Arsyet se përse shanset për punësim janë më të mëdha për ata që kanë përfunduar arsimin profesional, i shpjegon Anila Nanaj, Drejtore e Shkollës Ekonomike Teknike të Tiranës. Nanaj tregon sesi gjatë 20 viteve të para të tranzicionit u humb lidhja mes biznesit dhe shkollës, ndaj dhe bizneset tentuan fillimisht që t’i përmbushnin nevojat e tyre duke punësuar familjarë, vetëm për të kuptuar që kjo nuk ishte zgjidhja e duhur, ndaj edhe filluan të kërkojnë profesionistë. “Një biznes i mirë nuk mund të ecte dhe nuk mund të përparonte pa specialistë të mirë dhe pa menaxherë të mirë. Kështu që sytë e të gjitha bizneseve sot janë drejt arsimit profesional, drejt institucioneve sikundër është Shkolla Ekonomike Teknike, por jo vetëm, edhe drejt Hoteleri-Turizmit dhe shkollave të tjera, sipas nevojës”, thotë ajo.

Nanaj thekson se ndryshimi i mentalitetit të sipërmarrësve dhe realiteti i ri i punësimit në Shqipëri e ka shtuar disafish interesimin e shumë bizneseve, të cilat vijnë dhe interesohen direkt në shkollat e arsimit profesional për të rekrutuar paraprakisht profesionistë të rinj, të cilët janë drejt përfundimit të studimeve. “Sot vij këtu nga disa takime me biznese të ndryshme, përfshi zyra të konsulencës financiare që duan të marrin praktikantë me synimin për t’i punësuar në të ardhmen e afërt, edhe pa u diplomuar. Prej vitesh, kjo është bërë realitet”.

Studentë të ndryshëm ndjekin aspirata të ndryshme. Daniele Agolli thotë se kur kuptoi që kishte pasion marketingun digjital, studimin e tregut dhe ndërlidhjen e audiencave me ofertën e produkteve dhe shërbimeve, kuptoi gjithashtu që arsimi profesional, ndryshe nga arsimi i mesëm i përgjithshëm, ishte rruga me shpejtë dhe e sigurt për të përmbushur ëndrrën e tij. “Dhe duke qenë se është diçka që dua vërtet ta bëj dhe do më vijë natyrshëm, falë këtij shkollimi do të kem mundësi që në të ardhmen ta realizoj, duke pasur mundësi qoftë që ta kthej në biznes, për të bërë një investim te vetja që të bëhem sipërmarrës”, thotë Agolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos