Asnjë ndërhyrje nga ajri, Sazani vijon të digjet prej më shumë se 48 orësh

Nga A2 CNN
6 Qershor 2022, 16:02 | Aktualitet
Asnjë ndërhyrje nga ajri, Sazani vijon të digjet prej më

Prej më shumëse 48 orësh zjarri ka vijuar të djegë çfarë ka gjetur përpara në pjesën lindore të ishullit të Sazanit në Vlorë. I favorizuar nga era si dhe nga bimësia e tharë, vatra e zjarrit nuk po njeh ndalim në orët e fundit. Nga ana tjetër përpjekjet e forcave zjarrfikëse të Vlorës atyre te ushtrisë dhe policisë, duket se nuk po arrijnë të vënë nën kontroll flakët.

Efektivët në terren përpiqen me mjete manuale dhe rrethanore të kufizojnë sa të mundin vatrën e zjarrit, e cila është përhapur në një sipërfaqe mjaft të gjerë. Madje zjarri ka provokuar në disa raste edhe shpërthime te armatimeve të vjetra të hedhura në natyrë. Emergjencat civile, zjarrfikëset si dhe forcat e ushtrisë, herë pas here vlerësojnë situatën dhe ndërrojnë punonjësit në terren, por deri më tani, as shuarja e flakëve dhe as izolimi I tyre nuk po bëhet e mundur.

Sakaq pak pasmesditës se të hënës flakët i janë afruar shumë ish-godinave te bazës ushtarake që dikur ishte në Sazan.

https://a2news.com/2022/06/06/vijon-zjarri-ne-sazan-flaket-rrezikojne-ish-bazen-ku-ndodhen-radaret-detare-ministria-situata-mbetet-kritike/

Ende nuk ka një reagim zyrtar të autoriteteve shtetërore se përse nuk realizohet ndërhyrja nga ajri për të vënë nën kontroll flakët, të cilat me sa duket mund të fiken nga dukuritë natyrore siç është shiu, ose do të përparojnë në varësi dhe drejtimit që përcakton era.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka garantuar se po bëhet çmos për shuarjen e zjarrit në Sazan. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Peleshi deklaron se teknika më efikase aktualisht është ndërhyrja nga toka dhe jo nga ajri. “I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka, duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre”, shkruan ministri.

https://a2news.com/video/zjarri-ne-sazan-vijon-te-perhapet-i-afrohet-bazes-ushtarake/

Postimi i Peleshit është shpërndarë dhe nga kryeministri Rama, i cili i është përgjigjur dhe skeptikëve që akuzojnë qeverinë për situatën e zjarreve. “Sa për ata që nuk kanë sy të shohin çfarë ndodh njëkohësisht, sot që flasim, rrotull Athinës apo çfarë ndodh kudo tjetër në kushtet e zjarreve, nga Turqia e deri në Spanjë, po hidhen përpjetë duke kërkuar helikopterë me kova uji biblike me shkopinj magjikë, nuk kemi asgjë për të thënë! Janë të njëjtët shqipo, qenë tërë historinë e këtij vendi, kanë bërë fiks të njëjtën gjë, llafe, llafe, llafe...”, përfundon kryeministri Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos