
Dy ditë pasi u ndalua si një nga atentatorët e prokurorit Arjan Ndoja, mikut të tij Aleksandër Laho dhe shoferit Andi Maloku, Redian Rraja mbërriti i prangosur në Gjykatën për Krimet e Rënda.
Kërkesa e tij për liri nuk u plotësua. Në përfundim të një seance të zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, gjykata vendosi izolimin e Rrajës në qelitë e paraburgimit. Sipas burimeve pranë gjykatës, prova kryesore e prokurorisë kundër tij ishte një shenjë gishti e Rrajës në një palë syze të gjetura në mjetin që dyshohet të jetë përdorur nga autorët, mjet që u braktis në Shkafanë të Ishmit.
Jashtë sallës, avokati këmbënguli në pafajësinë e klientit të tij.
Redian Rraja do të hetohet për akuzën e “vrasjes së funksionarëve publike” dhe “vrasje e dy ose më shumë personave mbetur në tentative” dhe “armëmbajtje pa leje”. Prokurorët kanë dyshime se kanë qenë të paktën tre persona në automjetin e atentatorëve të 1 nëntorit në mbikalimin e Shkozetit. (A2 Televizion)