
Media “Nacionale” në Kosovë ka publikuar një audio-përgjim të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që komunikon me zyrtarin e lartë të Listës Serbe, Slavko Simiç.
Në bisedë përmenden kontaktet e Kusari-Lila me Milan Radojçiç, person në kërkim nga autoritetet e Kosovës dhe në listën e zezë amerikane e britanike.
Zyrtarja e Vetëvendosjes ka reaguar duke thënë se nuk ka pasur asnjëherë komunikim me nënkryetarin e Listës Serbe, Radojçiç, dhe se ka refuzuar të flasë me të.
Ajo shtoi se komunikimi i vetëm me anëtarë të Listës Serbe ka qenë me Igor dhe Sllavko Simiç, për tri projektligje. Por nga opozita janë shtuar thirrjet për zgjedhje të parakohshme, dorëheqje të kryeministrit Kurti e qeverisë, mes akuzave se pushteti po bashkëpunon me kriminelë.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri nga foltorja e Kuvendit kërkoi nisjen e hetimeve për përgjimin.
“I bëjë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë hapa në raport me të gjithë ata njerëz që janë në komunikim me njerëz që janë ndjekje nga Prokuroria e Shtetit dhe listën e zezë të SHBA-së. Sot me gjasë po fillon një etapë e re e bashkëpunimit të Lëvizjes Vetëvendosje me Milan Radojçiç”, tha ai. (A2 Televizion)