Audituesit e KLSH po verifikojnë mirëmbajtjen e rrugës së rrëshqitur në Borsh

Nga A2 CNN
13 Janar 2021, 12:33 | Aktualitet

Pas ngritjes së grupit të kontrollit nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit për rrëshqitjen e rrugës në aksin Llogara-Borsh, ditën e sotme kanë mbërritur audituesit e këtij institucioni në terren. Përgjatë ditës së sotme, audituesit kanë parë dëmet e shkaktuara si pasojë e rrëshqitjes së rrugës, duke kryer dhe raportin përkatës.

Aktualisht, rruga kalohet me shumë vështirësi ndërsa pjesa ku ka pasur rrëshqitje është mbuluar me qëllim që ujërat e shirave mos të vijojnë të depërtojnë te pjesa e dëmtuar. Kontrolli i Lartë i shtetit po shikon me imtësi të gjithë procedurën që prej anës dokumentare për mirëmbajtjen e rrugës dhe deri te ndërhyrjet fizike që janë kryer apo nuk janë kryer në të. Dy inxhinierët auditues të KLSH janë pjesë e grupit që po kryen dhe verifikimin e dokumentacioneve për këtë projekt.

Rruga e shembur i përket zonës D, që i përket rajonit jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, dhe me vlerë 13,7 milionë euro u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa dhe kompania Salillari sh.p.k. Financimi për të gjitha rrugët në Shqipëri për mirëmbajtjen në total ka qenë 128 milionë euro nga të cilat 65,9 janë dhënë nga Banka Botërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos