
Vazhdon të jetë problematike situata e krijuar nga reshjet në qarkun e Shkodrës. Nga të dhënat e fundit të Prefekturës së këtij qarku mësohet se niveli i liqenit të Shkodrës është vetëm 3 cm larg pikës maksimale. Po kështu, në Dajç niveli i ujit ka kaluar kuotën maksimale dhe lumi Drin është pranë nivelit maksimal.
“Hidrometri në Dajç në orën 17:30, shënon kuotën 6.44 m, (kuota maksimale është 6.30 m). Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 17:30 shënon kuotën 8.67 m. (kuota maksimale është 8.70 m). Hidrometri i lumit Drin në orën 17:30,shënon kuotën 7.07 m. (kuota maksimale është 7.50 m)”, thuhet në njoftim.
Rruga për në Obot vazhdon të jetë e bllokuar për mjetet e ulëta, ndërsa niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm. Ujësjellësi Oblika 1 vazhdon të jetë jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve.
Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat.
Në fshatin Shirq, janë magazinuar dhe nesër në mëngjes fillon shpërndarja sipas listës përfituese të hartuar nga Administratori i Njësisë Adminstrative Dajç rreth 28 tonë misër donacion.
Po kështu, janë magazinuar dhe janë gati për shpërndarje te ndërtesa e konviktit Shkolla Industriale “Arben Broci” 300 pako me ushqime për familjet në zonat e përmbytura.
Deri më tani, në Shkodër janë në total 1910 hektarë sipërfaqe toke e përmbytur. (A2 Televizion)