
Ka shënuar surpriza kjo javë e shtatë e kampionatit gjerman të Bundesligës me ekipin kryesues së Bayern Munchen që është mundur në shtëpinë e tij me rezultatin 1-2 nga Hoffenheim.
Vendasit duket se i kishin shpërdoruar golat në ndeshjen e mesjavës ndaj Tottenham ku fituan me rezultatin e thellë 2-7. Djemtë e Kovaç e kishin marrë lehtë këtë ndeshje duke qenë se luanin në fushën e tyre përballë një ekipi modest si Hoffenheim. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola me vendasit që goditën disa herë portën, por pa rezultat.
Miqtë kaluan të parët në avantazh falë një goli të Adamyan në minutën e 54 të takimit. Barazimi erdhi 20 minuta më vonë falë një asisti të Muller për të përhershmin Lewandowski. Atëherë kur pritej që Bayern të shënonte dhe golin e fitores vjen dhe dyfishimi i rezultatit nga miqtë në minutën e 80 sërish nga Adamyan.
Në ndeshjen tjetër të rëndësishme të Bundesligës, Dortmund barazoi në transfertë me rezultatin 2-2 përballë ekipit të Freiburg. Verdhezinjtë ishin pranë marrjes së një trepikëshi të rëndësishëm që do t’i çonte në krye të tabelës falë edhe gabimit në shtëpi të Bayern. Por një devijim nga mbrojtësi Akanji në minutën e 90 i çoi shifrat në 2-2.
Në ndeshjet e tjera të Bundesligës u shënuan këto rezultate: Paterborn-Mainz 1-2, Leverkusen-Leipzig 1-1. (A2 Televizion)