
Autorizimi nga platforma e-Albania duhej të ishte mënyra më e thjeshtë për të dalë nga shtëpia në kohën e koronavirusit. Por, duket se një pjesë e mirë e qytetarëve nuk mundën të bënin pazaret e planifikuara, për shkak të mosfunksionimit të sistemit.
Pranë redaksisë së A2 kanë mbërritur dhjetëra ankesa që dëshmonin pamundësinë për të marrë këtë autorizim.
Daniel Shima, zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ka pranuar për A2 se sistemi ka shfaqur probleme: “Ka pasur shumë aplikime nga pensionistë, një fashë që nuk duhej të aplikonte, dhe kjo ka ngarkuar sistemin. Ka pasur edhe shumë aplikime nga persona që aplikojnë nga jashtë Shqipërisë. Kjo është ngarkesë e paparashikuar”.
Shima tha se specialistët pranë AKSHI-t po punojnë për përmirësimin e infrastrukturës së platformës.
Rregulli i ri i qeverisë për të dalë nga shtëpia vetëm me autorizim ka hyrë në fuqi prej ditës së hënë dhe është funksional vetëm për zonat urbane.
Leje mund të marrë vetëm një person i familjes për nevojat bazike si ushqimet apo ilaçet, ndërsa përjashtohen nga ky rregull pensionistët, të cilët nuk duhet të lëvizin nga shtëpia. (A2 Televizion)