
Qeveria vendosi shpalljen e “Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore” në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga Covid-19. Vendimi justifikohet për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe është politikisht i përkrahur edhe nga opozita. Por kush janë pasojat e këtij vendimi? Çfarë ndryshon në jetën e çdo qytetari dhe sa e pushtetshme bëhet qeveria, që në këto kohë ka nxjerrë edhe ushtrinë në rrugë? Kufizime që i njihen qeverisë në këtë vendim janë kushtetuese, por cilat janë ato të drejta të paprekshme që në këto 30 dite ju preken qytetarëve? Avokati Jordan Daci foli në A2 më shumë mbi këtë temë.
“Të drejtat e njeriut janë në pikën më të dobët në mbarë globin jo vetëm në Shqipëri. Edhe te ne, shpallja e fatkeqësisë natyrore ka kufizuar disa të drejta që janë shumë të rëndësishme që përfshijnë të drejtën e paprekshmërisë së banesës dhe kontrollit personal të individëve, si dhe të drejtën e lëvizjes, po ashtu i është dhënë e drejtë edhe për konfiskimin e pronës. Paprekshmëria e banesës dhe liria e personit për kontrollin personal, mua më duket se janë jo të nevojshme, pasi nuk kanë të bëjnë me situatën. Unë mendoj se kanë ardhur si një kopje e nenit”.
E drejta e parë që kufizohet është ajo e nenit 37, “Paprekshmëria e banesës është e garantuar”, e cila është rrëzuar. “Kjo nënkupton që kontrollet mund të ushtrohen jashtë çdo lloj kriteri, pa vendim gjykate, pa vendim prokurorie. Logjika e Kushtetutës është që të zbatohet në rastet e nevojshme, por unë nuk mendoj se mund të ketë ndonjë rast të nevojshëm në rrethanat që ne ndodhemi”.
Një tjetër superfuqi i jepet qeverisë nga pezullimi i nenit 41, pika 4. E drejta e pronës, e bashkangjitur me gjendjen e jashtëzakonshme për tërmetin, qeveria i jep të drejtën vetes të shpronësojë papaguar. “Kjo po, pasi nëse dikush ka pajisje mjekësore, mund t’i sekuestrohen pa asnjë lloj kriteri dhe asnjë lloj pagese. Kjo vlen për çdo gjë që shërben në kuadër të kësaj lufte. Nuk prek çdo qytetar, por mund të marrë edhe teprica në vlerë monetare. Sa i përket ndalimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, është një masë që duhet të biem të gjithë dakord, pasi është një masë e rekomanduar edhe nga OBSH-ja. Unë mendoj se masat drastike kanë qenë shumë të nevojshme dhe madje ka vend për ta shtrënguar akoma më shumë ndaj disa personave, të cilët po tregohen të papërgjegjshëm”.
Në fund, Daci thekson se vendi nuk është në gjendje lufte, pasi do të kishte të tjera kritere, shprehet ai, ndërsa shton se mungesa e aktivitetit të Kuvendit është e pajustifikuar dhe e pakuptueshme. “Ne nuk jemi në gjendje lufte. Nëse do të ishim në gjendje lufte, komandanti i përgjithshëm, i cili është Presidenti i Republikës, do të merrte komandën dhe do të kishte shumë kritere të tjera. Në këtë situatë, marrja e atributeve për cenimin e akteve kryesore ligjore, si janë kodet, unë mendoj se duhet të bëhet me vendime Kuvendi. Kjo, për një arsye, Kuvendi mblidhet edhe në kohë lufte, në ato luftërat ku bien bomba prej vërteti dhe jo nga këto viruset e padukshëm. Mungesa e aktivitetit të Kuvendit është e pajustifikuar dhe e pakuptueshme”. (A2 Televizion)