
Gazetari i A2, Armand Bajrami, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se deklarata e sotme e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, “ishte një përpjekje për “makiazh” fytyrës së Policisë së Shtetit, por që e bëri edhe më të shëmtuar policinë, pasi jemi në situatë kritike, me krimin që ka marrë revansh”.
“Ka pasur ngjarje kriminale ditët e fundit që garojnë në orë me njëra-tjetrën. Është e patolerueshme përpjekja e ministrit për të shmangur përgjegjësinë e policisë dhe për ta kaluar topin te gjyqtarët dhe prokurorët. Vetting-u në gjyqësor ka 3 vite që po ecën, me të mirat dhe të këqijat e veta, dhe nuk mund të mbahet më në këmbë policia duke drejtuar gishtin te gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar”, theksoi Bajrami.
“Policia është ajo që mbledh provat e para në skenën e krimit dhe për çdo rast, nëse policia do të bënte siç duhet detyrën në mbledhjen e provave, edhe prokurori më i korruptuar do ta kishte të vështirë për të liruar një person të “gozhduar” nga provat”, shtoi Bajrami. (A2 Televizion)