
Analisti Mentor Kikia komentoi në studion e “Absolut 4” në A2 ngjarjen në Velipojë, ku 4 persona u vranë pas një konflikti për hapësirat e plazhit. Sipas tij, ngjarje të tilla ndodhin në vendin tonë për shkak të mentalitetit që kemi dhe faktit që nuk kemi respekt për shtetin “që bën fushata meqë janë pushimet dhe sapo mbyllen këto pushime, askush nuk merret më me problemet e turizmit”.
“Përgjegjësitë nuk janë vetëm të atyre që qëlluan me armë. Problemi është që të identifikojmë shkaqet reale të fenomenit të prapambetjes së shoqërisë sonë. Njerëzit vazhdojnë të zgjidhin me armë mosmarrëveshjet mes tyre dhe kjo i provokon situata të tilla. Ngjarja në Velipojë nuk ishte aksidentale, është mentalitet. Ne shqiptarët, edhe kur fërkohen makinat me njëra-tjetrën, nuk presim ekspertët për të vendosur se kush e kishte fajin dhe sa është dëmi, por konfrontohemi me njëri-tjetrin. Më shumë se 60% e krimeve në Shqipëri janë si pasojë e konflikteve nga këto lloj mosmarrëveshjesh. Nuk e kemi kulturën e të jetuarit me shtetin në mes. Ne nuk e perceptojmë dot që të kërkojmë shtetin për të zgjidhur konflikte për gjërat e thjeshta, por këto konflikte çojnë në vrasje”, tha Kikia.
Në lidhje me përgjegjësit, Kika u shpreh: “Ka shumë përgjegjës për këtë ngjarje. Nuk mendoj se duhet të bëjmë pushime me njerëz të RENEA-s në çdo plazh. Kemi prani policore shumë më të madhe sesa duhet, por nuk është vetëm çështje policie. Nuk është çështje ndërrim drejtorësh. Ne nuk respektojmë shtetin sepse shteti bën sikur, bën fushata meqë janë pushimet dhe sapo mbyllen këto pushime, askush nuk merret më me problemet. Është një bastardizim që askush nuk e merr vesh se ku fillon: te individi, te sipërmarrësi, te pushteti vendor, te shteti… Është një kazan i madh ku po hamë njëri-tjetrin dhe pastaj presim që në këtë mjedis të na vijnë të huajt”. (A2 Televizion)