
Milani është rikthyer te fitorja në Serie A, duke triumfuar në një fushë të vështirë si ajo e Empolit me rezultatin 2-4.
Kuqezinjtë shënuan të parët me anë të Kessie, ndërsa mesfushoi shqiptar, Nedim Bajrami realizoi një gol mjaft të bukur duke barazuar përkohësisht shifrat. Më pas, Kessie riktheu në avantazh kuqezinjtë në fundin e pjesës së parë. Me nisjen e pjesës së dytë realizuan për skuadrën e Piolit edhe Florenzi e Hernandez, ndërsa Pinamonti e vulosi rezultatin në 2-4 nga pika e penalltisë.
Ndërkohë, edhe pse në letër ishte një ndeshje e lehtë, Napoli është mposhtur në shtëpi 0-1 nga Spezia e Rey Manajt.
Skuadra e Spalletti-t dominoi takimin, por Spezia arriti të triumfojë pa goditur asnjëherë portën. Jesus realizoi autogol në minutën e 37-të.
Më herët, Interi mori një fitore minimale, 1-0, ndaj Torinos, duke vijuar të kryesojë në Serie A me 46 pikë, Milani 42 pikë, ndërsa Napoli mban vendin e tretë me 39 pikë. (A2 Televizion)