
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka hedhur poshtë deklaratat e Sali Berishës për të kaluar në rend të ditës ndërhyrjen e Policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Në seancën e sotme parlamentare iu kundërpërgjigj akuzave të Berishës, duke u shprehur se ka 32 vite që bën të njëjtën gjë duke përdorur për qëllime politike ngjarje të tilla.
“Ky që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi as nuk mund të ndërhyrje në çështje që i takojnë drejtësisë. Koha kur politika apo kuvendi përfshihej në çështje të drejtësisë ka marrë fund një herë e përgjithmonë në themelet që po ngrihet drejtësia e re. Kjo është një çështje ku policia e shtetit ka zbatuar vendimin dhe urdhrin e prokurorisë dhe në rastin në fjalë të një institucioni siç është SPAK. Përdorimi për qëllime politike edhe i një ngjarjeje për qëllime politike është diçka që ka 32 vite që bën ky personi që sapo foli, bën korbin, bën skifterin dhe ne duhet të vazhdojmë me rendin e ditës. Nuk mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. S’ka nevojë për votim, ecim para”, tha Balla. (A2 Televizion)