Dëgjesa e ambasadorëve, PD thekson qeverinë kujdestare, PS refuzon

Nga A2 CNN
4 Mars 2020, 17:25 | Politikë
Dëgjesa e ambasadorëve, PD thekson qeverinë kujdestare, PS

Afati i vendosur nga Këshilli Politik për një produkt konsensual të reformës zgjedhore, po skadon. E ndërsa numërimi mbrapsht ka nisur, ndërkombëtarët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së dëgjuan pretendimet për here të dytë, por kësaj here duke pasur në tavolinë edhe opozitën jashtë parlamentit.

Burime nga takimi, i thane A2 se ambasadorët kanë qenë në një linjë, në nevojë për ta përmbyllur në kohë reformën. Në negociata, nuk ka një fitore 100%, mësohet të jetë shprehur ambasadorja e SHBA-së, Juri Kim, duke theksuar se është me rëndësi që palët të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve dhe të vazhdojnë dialogun. Vëmendje ka marrë propozimi i PD për pezullimin për 4 vjet të vettingut për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor.

“Kjo çështje është ende duke u diskutuar dhe ne dërguam një mesazh të qartë se ata duhet të respektojnë dispozitën e kushtetutës”, u shpreh ambasadori i OSBE-së, Borchardt.

Burimet i thanë A2 se ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka kërkuar të dijë se sa e cenon kjo ecurinë e reformës në drejtësi, duke sugjeruar nga ana tjetër që të mos cenohet fryma e reformës dhe propozimi të jetë në linjë me kushtetutën.

Mësohet se demokratët kanë garantuar se kjo masë pezullimi nuk cenon reformën, por e nevojshme sipas tyre në zgjedhje është gjykata e pavarur dhe larg presionit, sikundër OSBE/ODIHR rekomandoi pas 30 qershorit. 

“Shqipërisë i duhet që në ditën e zgjedhjeve, siç rekomandon ODIHR, me rekomandim prioritar që të ketë gjykatë funksionale, të pavarur dhe jashtë presionit”, u shpreh Bylykbashi.

Në takim demokratët këmbëngulën për qeverinë tranzitore si garanci për zgjedhje të lira, por socialistët kanë një kundër argument.

“Nuk mund të ketë qeveri kujdestare. Qeveria kujdestare është çështje kushtetuese me marrëveshje politike. Por, unë nuk di që qeveria ka një vullnet që të shkojë në qeveri teknike se kërkon Partia Demokratike”, deklaroi bashkëkryetari për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Përtej angazhimit për dialog, kompromisi nuk duket i afërt

“Unë besoj se nëse ka vullnet dhe Partia Demokratike të vijë me “këmbë në tokë” për disa gjëra kompromisi është shumë i arritshëm. Pra të kërkoi gjëra që mund të bëhen”, shtoi Gjiknuri.

“Nëse Partia Socialiste vjen me idenë se mund të vendosë ajo se çfarë janë propozime të arsyeshme dhe çfarë jo, ka hyrë gabim në datë 14 janar. Konsensusi arrihet për të vendosur standarde”, tha më tej Oerd Bylykbashi.

15 marsi është afati që politika ia ka lënë vetes, dhe ndërkombëtarët presin të përmbushet. Përtej çështjeve në negocim, të premten palët do duhet të diskutojnë edhe sistemin elektoral dhe depolizitimi e administratës zgjedhore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos