
“Kjo është një nismë e bazuar deri diku në një lloj koalicioni, mes Shqipërisë dhe Serbisë, si e tillë do të mbahet dhe do të mbijetojë për sa kohë këto dy vende do ta përkrahin. Në thelb, kjo nismë nuk mund të kthehet në rajonale dhe nuk mund të zëvendësojë procesin e Berlinit”.
Kështu u shpreh në Ditarin e mbrëmjes në A2 CNN analisti Afrim Krasniqi teksa komentoi takimin e radhës të Ballkanit të Hapur të mbajtur këtë të martë në Tiranë.
Krasniqi shtoi se, nga mënyra se si po bëhet, është e pamundur që kjo nismë të arrijë të përfshijë të gjitha vendet e rajonit dhe të arrijë të ofrojë një program për të bërë atraktive vendet skeptike.
“Ka disa tregues ekonomikë që kanë provuar se mes vendeve të rajonit nuk ekziston një treg funksional, i mundësive dhe konkurrues me BE. Mes rajonit dhe BE, gjithmonë be do të jetë gjithmonë opsioni numër një në të gjitha këndvështrimet. Edhe marrëveshjet e nënshkruara sot në tiranë nuk kanë ndonjë vlerë të madhe dhe nuk arrijnë të kenë ndonjë ndikim në ekonomi. Në këtë rast, Serbia përfiton më shumë sepse ka interesa në daljen në det”, u shpreh Krasniqi.
Sa i përket aspektit të botës shqiptare, Krasniqi u shpreh: “Nisa vazhdon të ketë kritika dhe të përdoret si një tryezë kritike ndaj Kosovës, gjë që shkon në dëm të Kosovës dhe të raportit shqiptar në raport me nismën. Prandaj edhe zërat kritikë kanë kërkuar nga qeveria një vetëpërmbajtje dhe duhen marrë në konsideratë”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)