
Me premtimin se muaji janar do t’i gjejë qytetarët e tyre më pranë njëri-tjetrit, Rama, Vuçiç dhe Zaev mbajtën në Tiranë samitin e fundit të “Open Balkan” për vitin 2021.
Palët firmosën 5 marrëveshje mes tyre, ndër të cilat ato për akses të lirë në tregun e punës, identifikimin biometrik të qytetarëve dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore.
Porosinë e BE-së për gjithëpërfshirje, tre liderët u munduan ta kompensojnë me ftesën e përsëritur për Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi.
Por a do ta pranonte Aleksandër Vuçiç flamurin e Kosovës nëse ajo bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur.
“Do ishte më e lehtë që të mos ishin? Nuk besoj që ka njeri që nuk do të binte dakord me këtë që po them. Nuk e mendoj që është produktive për mua që të ftoj Prishtinën, se do thonë meqë e bën ai ftesën nuk do të vijmë. Por nëse do të zgjidhnim statusin politik kjo i takon Brukselit, kurse për çështjet ekonomike jemi të hapur po ia bëj këtë ftesë edhe Malit të Zi. Në kuadër të Ballkanit të Hapur nuk kemi asnjë problem për bashkëpunim”, tha presidenti serb.
Ngacmimin e Ramës për t’iu përgjigjur në shqip njërës prej pyetjeve, Vuçiç e ktheu në premtim.
Ditën e tij të fundit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e kaloi duke lobuar për iniciativën Ballkani i Hapur, ndërsa garantoi se dhe pasardhësi i tij që gjithashtu mori pjesë në takimin dyditor të liderëve, do të ketë të njëjtën qasje.
Shkupi do të jetë stacioni i radhës i iniciativës, ku do të mbahet dhe samiti në muajin shkurt, ndërsa në të do të ftohen edhe vende të tjera si Italia, Greqia dhe Hungaria. (A2 Televizion)