
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, në Ditarin e mëngjesit në A2 CNN komentoi marrëveshjet e nënshkruara në Ballkanin e Hapur në rrafshin ekonomik, duke theksuar se në thelb mbeten lëvizje zhurmuese propagandistike.
“Për fat të keq, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, edhe pse flitet për ekonominë, tregtinë, lëvizjen e njerëzve, në thelb mbeten lëvizje zhurmuese propagandistike, përkulje mbi flamur, por nuk ndryshojnë gjë. Problemet e brendshme që ka ekonomia kombëtare e brendshme e jona, e Kosovës apo e Serbisë, ndikon në këto marrëdhënie.
Ai shprehet se mosnjohja e Kosovës nga Serbia është pengesa kryesore për të çuar më tej marrëveshjet.
“Nuk ka një prerje me thikë mes çështjeve ekonomike dhe çështjeve të interesit publik. Mungesa e besimit të ndërsjellët kompromenton edhe qëllimin e mirë të marrëveshjeve në fushën e ekonomisë. Mosnjohja e Kosovës nga Serbia është pengesa kryesore për të lëvizur më tej me Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur e shoh si një lëvizje propagandistike, që në njëfarë mënyrë mbivendos Procesin e Berlinit dhe idenë e zonës ekonomike rajonale e zëvendëson pa dashur apo me dashje me një emërtim tjetër që në thelb inkurajon hegjemoninë ekonomike dhe politike të Serbisë ndaj vendeve të rajonit”, u shpreh Preçi. (A2 Televizion)