Mandati i Dumanit, Berisha "duartroket" DASH para SPAK, kërkon "rrëzim" të dosjes

Nga Armand Bajrami
15 Shtator 2025, 16:38 | Politikë

Për të dytën herë brenda muajit, ish-kryeministri Sali Berisha, zbatoi detyrimin gjyqësor për t’u paraqitur në SPAK. Ndonëse qëndroi fare pak minuta në godinë, aq sa iu desh të nënshkruante procesverbalin dhe shënimin e përhershëm me shkrim dore për Altin Dumanin, Berisha tha se kishte parë shumë.

“Skena dramatike brenda në SKAP. Altin Dumani po shkulte leshrat, po qante dhe bërtiste, sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin”.

Duke e cilwsuar Dumanin si kriminel kushtetues që amnistoi ministra që bënin pazare me kartelet e drogës, Berisha përshëndeti qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, të shprehur mes së ngarkuarës me punë në Tiranë, mbi përfundimin e mandatit të Dumanit në dhjetor.

“E vlerësoj dhe e çmoj shumë qëndrimin e ri të Departamentit të Shtetit të SHBA, të shprehur nga përfaqësuesja e këtij vendi në Tiranës se mandati i tij mbaron në dhjetor dhe kjo nuk ka koment”.

Në të njëjtën deklaratë znj.Vanhorn e cilëson si jashtëzakonisht efektiv Dumanin në krye të SPAK.

Si e komentoni?

"Për të vdekurit ose fol mirë, ose mos fol më. Profesionalisht, po them".

Por ndërsa Berisha u largua, avokatët e tij e përfaqësuan në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme të dosjes “Partizani”, ku është i pandehur për “korrupsion”.

Avokatët i kërkuan gjykatës të konstatojë pavlefshmëri të dosjes penale ndaj Berishës. Sipas avokatëve, SPAK kishte kaluar kompetencat e saj dhe nuk kishte përfaqësuar interesa të shtetit.

“Ka tejkaluar të gjitha kompetencat, duke marrë rolin e Gjykatës Kushtetuese, rolin e parlamentit, rolin e qeverisë, duke dhënë përshtypjet e veta se si duhet të vepronte qeveria, si duhet të vepronte këshilli i ministrave. SPAK shpesh herë, po flasim rastin konkret, ka mbrojtur interesat e politikës, të partisë në pushtet, të kryeministrit Rama. Ta themi copë, mos i biem rrotull kësaj pune”.

Pavlefshmëri të dosjes kërkoi edhe i bashkëpandehuri i tij, Jamarbër Malltezi, sipas të cilit prokurorët e SPAK  kishin bërë 30 falsifikime gjatë hetimit. Për t’i dhënë kohë avokatëve të tjerë për të paraqitur kërkesat paraprake, Gjykata e shty seancën e radhës të dosjes “Partizani” për më 29 shtator.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos